Inflacioni i lartë, ndryshimet e çmimeve dhe pamundësia e qeverisë për t’i bërë ballë këtij presioni, ka bërë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të jetojnë në një shtet të varfër me të ardhura tepër të ulëta. Sipas Bankës Botërore, 16.4 % e popullatës në Maqedoninë e Veriut jeton në varfëri ekstreme, ose që kanë të ardhura 5.5 dollarë më pakë në ditë. Më keq se Maqedonia e Veriut janë Shqipëria dhe Kosova me 17.6%, Mali i Zi me 15.6%. dhe Serbia ka një nivel nën 10%. Sipas Bankës Botërore, rritja e çmimeve dhe niveli i lartë i inflacionit mund të rrisin varfërinë në rajonin e Ballkanit, kur shumica e buxhetit të familjeve shkojnë për ushqime.
Kriza dhe varfëria ndjehen çdo ditë e më shumë
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut thotë se çdo ditë e ndiejnë koston e lartë të jetesës. Me pagat që marrin apo edhe me pensionet, mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet personale dhe të familjes apo të paguajnë faturat e rrymës. Qytetarët me një rrogë minimale mezi arrijnë të mbijetojnë, duke pasur parasysh se ushqimi është bërë shumë i shtrenjtë, ndërsa pensionistët me pensionin që marrin mezi arrijnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike, të ngrohjes dhe të ujit.
Sipas të dhënave të data bazës botërore për koston e jetesës, Numbeo, nga 139 vende, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 188 sa i përket kostos së jetesës. Në indeksin e shpenzimeve të jetesës të Numbeos llogaritet çmimi i banimit, ushqimit, restoranteve dhe fuqisë blerëse. Nga vendet e rajonit, sipas këtij indeksi, vetëm Kosova ka kosto më të lirë të jetesës, duke u renditur në vendin e 134-të.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, numri i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në varfëri është në rritje. Sipas këtyre të dhënave, më 2020, 452,000 qytetarë kanë jetuar nën kufirin e varfërisë.
Të dhënat e Entit të Statistikave po ashtu vënë në pah se është thelluar hendeku midis të pasurve dhe të varfërve, pasi më 2020 koeficienti për këtë arriti në 31.4, krahasuar me 30.7 sa ishte më 2019.
Mbi 70 milionë banorë, në varfëri ekstreme
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë ka shtyrë mbi 71 milionë persona në mbarë botën në varfëri që nga fundi i shkurtit kur Rusia nisi luftën ndaj Ukrainës. Në raportin e Programit për Zhvillim i OKB-së (UNDP), i publikuar në korrik, gjithashtu paralajmërohet për rrezikun e trazirave shoqërore në disa vende për shkak të trazirave ekonomike.
Analizat e bëra në 159 shtete në zhvillim tregojnë për rritje të çmimeve të mallrave këtë vit që kanë goditur pjesë të Ballkanit, Afrikës Sub-Sahariane, Azisë dhe vende tjera.
Kostoja e jetesës po çon miliona njerëz në varfëri dhe madje edhe uria po përhapet me shpejtësi marramendëse. Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë pothuajse çerekun e eksporteve globale të grurit dhe mbi gjysmën e eksporteve të vajit të lulediellit.
Çmimet e energjisë po ashtu janë rritur pas paqartësive lidhur me luftën, por po ashtu për shkak se Rusia ka ndërprerë disa eksporte të naftës dhe gazit. Para luftës, Rusia ishte eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror dhe eksportuesja e dytë e naftës së papërpunuar. Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, që janë vendosur për ta ndëshkuar Moskën për shkak të pushtimit të Ukrainës, kanë përkeqësuar gjithashtu presionet e inflacionit.
Disa shtete janë goditur më së keqi nga inflacioni, tha kjo agjenci e OKB-së, përfshirë Haitin, Argjentinën, Egjiptin, Irakun, Turqinë, Filipinet, Ruandën, Sudanin, Kenian, Shri Lankën dhe Uzbeksitanin. Në shtetet si Afganistani, Etiopia, Mali, Nigeria dhe Jemeni, ndikimi i inflacionit është më i madh, për shkak se këto shtete veçse kanë nivele të larta të varfërisë.
Varfëria ka prekur në palcë çdo pikë të jetës
Varfëria është futur në çdo pore të jetës. Fatkeqësisht në Maqedoninë e Veritu qytetarët janë të varfër për bukë, të varfër për ajër të pastër, të varfër për drejtësi, të varfër për energji. Varfëri ka nëpër dyqane dhe pensionistët e numërojnë çdo qindarkë dhe bredhin nga një supermarket në tjetrin duke blerë atë produkt që është ndoshta 2-3 denarë më i lirë. Për shkak të varfërisë, rrugët janë me gropa, e fatkeqësisht varfëria vjen edhe për shkak të punëtorëve të paaftë, për shkak të menaxhimit të papaftë, për shkak të varfërisë në dije e aftësi.
Varfëria është futur në arsim dhe për fat të keq, shpesh gjen personel të paarsimuar dhe të paaftë që pret të jenë ndërtuesit e ardhshëm të kësaj shoqërie dhe të aftët largohen me këmbëngulje.
Fatkeqësisht varfëria është bërë arti i të jetuarit në Ballkan. Mënyra se si mbijetojnë qytetarët dita-ditës dhe rregullojnë muajt është një art i vërtetë, një temë analize dhe diskutimi i gjerë. Fatkeqësisht populli i Ballkanit është bërë konsumatori më i madh i barërave qetësues.
Populli është ngopur me varfërinë dhe është e trishtueshme kur shpresa vdes ngadalë dhe populli po bëhet i varfër edhe për shpresë!
Qeveria të marrë masa urgjente
Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet që sa më shpejt të aplikoj zgjidhje në interes të qytetarëve. Një prej tyre që shihet si opsion, e që u hodh si ide ditëve të fundit është taksa më të larta për të pasurit. Por edhe kjo zgjidhje është “thikë me dy tehe” sepse mund të ulë investimet, mund të mbesin shumë njerëz pa punë dhe mund të mbyllen kompani. Megjithatë, shteti duhet të mendojë për zgjidhjen më pak të dhimbshme e në të mirë të qytetarëve.
Më e rëndësishmja në mirëqenien ekonomike është që qeveria të mbetet fort e angazhuar për të luftuar korrupsionin dhe ekonominë joformale. Në të kundërtën, rezultatet e krizës së luftës së Rusisë në Ukrainë do të rrisë edhe më shumë shkallën e varfërisë për shkak të shtrenjtimit të produkteve ushqimore dhe të energjisë.
Fatkeqësisht nuk ka vesh për të dëgjuar kërkesat e sindikalistëve të cilët kërkojnë një rritje lineare të pagave për 2800 denarë. Andaj, revoltën të rinjtë po e shfaqin duke ikur nga vendi, kurse më të moshuarit po heshtin nga frika se mund të humbasin edhe atë qe e kanë./Zhurnal.mk/