Forcat ruse nisën sulm me raketa në një stacion treni të Ukrainës në Ditën e Pavarësisë dje, duke vrarë 22 persona, tha Presidenti Volodymyr Zelensky pasi paralajmëroi për ditë të tëra se Moska mund të bënte “diçka jashtëzakonisht mizore” këtë javë. Sulmi vdekjeprurës ndodhi në Chapline, një qytet me rreth 3.500 banorë në rajonin qendror të Dipropetrovsk, tha Zelensky para Këshillit të Sigurimit të OKB-së përmes videos. Kabineti i presidentit njoftoi gjithashtu se një fëmijë 11-vjeçar u vra nga një raketë më herët gjatë ditës në lagje dhe pati gjithsej dy sulme, transmeton Portalb.mk.
“Chapline është dhimbja jonë sot,” tha Zelensky në fjalimin e tij gjatë natës me video drejtuar kombit dhe në një moment tha se numri i të plagosurve ishte rreth 50. Zëvendës shefi i shtabit të Zelenskyt më vonë tha se 22 persona u plagosën në sulmin, i cili goditi pesë vagonë udhëtarësh.
Rusia nuk ka komentuar ende, por deri më tani ka mohuar se ka në shënjestër infrastrukturën civile.
Ukraina po përgatitej për sulme veçanërisht të rënda rreth festës kombëtare që përkujtonte shpalljen e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Dje u bënë gjashtë muaj nga fillimi i pushtimit rus. Disa ditë para Ditës së Pavarësisë, autoritetet në Kiev ndaluan tubimet e mëdha në kryeqytet deri më sot për shkak të frikës nga sulmet me raketa.