Në Tetovë dhe disa fshatra përreth, pas reshjeve të rrëmbyeshme të mbrëmshme një numër i madh i oborreve dhe bodrumeve të shtëpive janë përmbytur, ndërsa janë dëmtuar edhe vetura. Gjatë ditës qytetarët vazhduan me largimin e ujit dhe rrëshqitjeve të cilat mbrëmë nuk arritën t’i largojnë.
Më të prekur, sipas Komunës së Tetovës, janë banorët e fshatit Gjermo, si dhe në vendbanimin Çarshia e Epërme, ku dhjetë qytetarë është dashur ta kalojnë natën në ndërtesën e zjarrfikësve, pas çka janë kthyer në shtëpi paradite.
Rrugët rreth kazermës në Tetovë përmbyten shpesh, ashtu ishte edhe mbrëmë.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se shumë pika kritike, si tek kazerma, sërish janë vërshuar. Kështu ishte edhe me autobusët në dalje drejt Shkupit dhe drejt Falishes.
“Nuk ka kanalizim adekuat, kjo është arsyeja. Ne sot në takim të Shtabit të krizës vendosëm që të ndiqen situatat dhe në mënyrë parandaluese në pikat kritike të intervenohet, pasdite nëse ka sërish reshje shiu të mos përsëriten përmbytjet. Kërkojmë nga Qeveria të ndihmojë në sanimin e dëmeve. Paraprakisht nuk na ndihmoi Qeveria dhe shpresojmë se tani do t’u ndihmojnë qytetarëve të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet. Të gjitha resurset komunale janë shpenzuar, kemi nevojë seriozisht për ndihmën e Qeverisë”, tha Kasami.
Për zgjidhje afatgjate, kryetari i komunës Kasami tha se diku bëhen më shumë aktivitete, ndërsa disave u nevojitet ndihmë.
“Përgatisim kanalizimin atmosferik tek kazerma dhe tek nënkalimet planifikojmë ndërhyrje serioze që të mos ketë vërshime. Në Shipkovicë me një projekt të UNDP-së duam të rregullohet shtrati i lumit. Me vite të tëra nuk është investuar asgjë dhe prandaj duhet tani të investohet dhe të intervenohet”, tha Kasami.
Për atë pse qytetarët nuk kanë marrë ndihmë gjatë vërshimeve në muajin maj, Kasami paralajmëroi se do të ketë në seancën e parë të Këshillit të ri./tv21.tv/