Opozitarja VMRO-DPMNE edhe njëherë ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak, siç theksojnë nga kjo parti, të paaftësisë së kësaj Qeverie për të udhëhequr vendin në rrugë të duhur dhe për të mbrojtur interesat shtetërore të vendit.
Por, nga LSDM-ja në pushtet janë përgjigjur se zgjedhje do të ketë në vitin 2024, atëherë kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, shkruan PRESSonline.mk
“Edhe për Kovaçevskin është e qartë, prandaj në çdo mënyrë po mundohet të qëndrojë sa më gjatë në kolltukun e kryeministrit. Për të ndalur presionin e pushtetit ndaj deputetëve, LSDM dhe Kovaçevski kanë zgjedhje dhe ofertë nga kryetari Hristijan Mickoski. Nëse Kovaçevski dhe LSDM janë të sigurt se i kanë 80 deputetë, menjëherë pas kthimit të deputetëve në Kuvend, amendamentet kushtetuese duhet t’i vendosin në rend dite të seancës së parë parlamentare. Por, nëse në atë seancë nuk kalohen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, të nesërmen duhet të shpërndahet Kuvendi dhe të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti theksojnë se nëse autoritetet janë të sigurta se ajo që po bëjnë është e drejtë, këtu është një zgjedhje për ta, ose t’i shërbejnë Bullgarisë dhe të ndryshojnë Kushtetutën ose zgjedhje të parakohshme.
Në anën tjetër nga LSDM-ja në pushtet thonë se do të ketë zgjedhje në vitin 2024, ndërsa potencojnë se VMRO-DPMNE dhe Mickoski nuk mund të shantazhojnë askënd.
“VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski nuk mund të shantazhojnë askënd. Të gjitha përpjekjet e tyre për destabilizimin e shtetit, të gjitha gënjeshtrat e tyre për gjoja asimilim dhe bullgarizim kanë dështuar, ata nuk kanë më asnjë besueshmëri para qytetarëve. Prandaj Mickoski dhe VMRO-DPMNE janë të hutuar, kërkojnë referendum në mëngjes dhe zgjedhje të parakohshme pasdite. Mickoski nuk di më çfarë të bëjë për të shpëtuar kolltukun e tij në Shtëpinë e Bardhë pasi partnerët e koalicionit dhe partitë e tjera opozitare ia kthyen shpinën. Në vitin 2024 do të ketë zgjedhje në mandatin e rregullt. Deri atëherë, VMRO-DPMNE ka kohë të rishqyrtojë dhe të ndryshojë sjelljen e saj destruktive, antishtetërore në dëm të interesave të qytetarëve dhe shtetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të LSDM-së.(PRESSonline.mk)