Site icon Tetova Expres

Marrëveshja e Ohrit e ka ndërprerë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të konfliktit, tani të angazhohemi në tri fusha, vlerësoi Pendarovski

Kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në 21 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit përkujtoi nënshkruesit e marrëveshjes, garantuesit dhe përfitimet nga nënshkrimi i kësaj Marrëveshje, transmeton Portalb.mk.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë e ka ndërprerë eskalimin e mëtutjeshëm të konfliktit dhe ka sjellë paqe dhe stabilitet, si një parakusht për zhvillimin e mëtutjeshëm demokratik të shoqërisë maqedonase”, vlerësoi Pendarovski, duke kërkuar që të orientohemi në zhvillimin e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Ai përkujtoi udhëheqësit e katër partive më të mëdha politike, presidentin Boris Trajkovskin dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, si garantues të kësaj marrëveshje.

Pendarovski theksoi që kjo marrëveshje ka ruajtur sovranitetin e integritetin e vendit, ndërkohë ka hapur rrugën për ndryshime kushtetuese, ndryshime që kanë siguruar më shumë të drejta për grupet më të vogla etnike.

“Tani që jetojmë nën shtypjen e kërcënimeve të reja dhe të vjetra ndaj sigurisë, patjetër duhet të kemi parasysh një nga principet themelore të Marrëveshjes Kornizë, përdorimi i dhunës për të arritur qëllime politike është larguar plotësisht dhe pa kushte, ashtu që vetëm përmes zgjidhjes dhe dialogut politik do të mund të kemi të ardhme stabile dhe demokratike”, vlerësoi Pendarovski, duke përkujtuar luftën në Ukrainë.

Advertisement

Marrëveshja Kornizë e Ohrit

Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafimin e dokumentit ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001.

Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit, u mbajtën nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ana e liderëve të atëhershëm të partive politike, Branko Cërvenkovski, lider i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Arben Xhaferit, lider i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lubço Georgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Imer Imerit nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD).

Advertisement
Exit mobile version