Qeveria e Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, sot do të marrë pjesë në Zonën për Zhvillim industrial dhe teknologjik në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
Në hapësirat e kësaj zone industriale planifikohet ndërtimi i fabrikës “e.GO”, fabrikë që merret me prodhimin e veturave elektrike. Kjo fabrikë tashmë një kohë funksionon në Gjermani, ndërsa menaxhohet nga familja Destani.
Ndryshe, në seancën qeveritare të 11 gushtit u miratua ndihma shtetërore për fabrikën e re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e fundit miratoi Informatën dhe mori Vendim fabrikës së re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike për dhënien e pëlqimit të Marrëveshjes për ndarjen e ndihmës shtetërore të lidhur mes Qeverisë së RMV-së, e përfaqësuar nga Drejtoria për Zona zhvillimore teknologjike industriale dhe “NEKST. E.GO MOBILE”. Veturat elektrike e-go do të prodhohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Ahen, Gjermani në TIRZ Tetovë do të hapë 3 deri 4000 vende të reja pune.
Kjo është hera e parë në industrinë e automobilave që në vendin tonë do të prodhohet një makinë e plotë dhe kuptohet që për herë të parë do të prodhohen makina elektrike.
Përfitimet e këtij investimi janë të shumëfishta – nga hapja e vendeve të reja të punës, eksporti i produkteve me vlerë të shtuar, transferimi i njohurive dhe teknologjive, hartëzimi i vendit tek investitorët e huaj në këtë fushë, deri te kontratat dhe punë shtesë për kompanitë vendase.