Site icon Tetova Expres

Tetovë/ Debat publik për ndërrimin e emrave të rrugëve e shkollave nga periudha e komunizmit

“Nikolla Teslla”,“Mosha Pijade”,“Strasho Pinxhur” dhe Rruga “J.N.A”., ky është realiteti momental i Tetovës me emrat e rrugëve, shkollave, shesheve dhe institucioneve të ndryshme. Një realitet ky që, nuk përkon aspak me kohën e tanishme dhe përbërjen aktuale të popullatës këtu”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Të vetëdijshëm për këtë gjë, tash e dy dekada me radhë, shumë kryetarë të komunës, kanë marrë nismë për ndryshimin e këtyre emrave, por asnjëherë nuk kanë gjetur kohezion brenda këshillit komunal që këto emra të zëvendësohen me emra të aktualitetit kohor, shkruan Alsat.

Kohë më parë, nga ana e komunës, disa emra rrugësh u ndryshuan, por vetëm për përdorim të brendshëm, sepse në regjistër dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, këto emra vazhdojnë të jenë të pandryshuar, sepse asokohe, këto vendime të komunës, nuk i pranoi ministria e Transportit dhe as Regjistri Qendror.

Të pyetur për këtë realitet të hidhur të Tetovës, banorët ankohen duke thënë se, jemi shteti i vetëm që aspirojmë për Evropë me emra sheshesh rrugës e institucionesh të periudhës komuniste. Ndërkohë, fajin për këtë realitet, e hedhin tek politika, e cila, sipas banorëve nuk është e aftë të bëj këto ndryshme, edhe përkundër premtimeve në çdo cikël zgjedhor.

“Gjithsesi se duhet të ndërrohen, madje është punë e vonuar shumë. Çdo institucion duhet të bëj kërkesë për të ndërruar emrat e rrugëve, të shkollave dhe ne jemi ata që duhet t`i përkrahim dhe të ndryshojnë më ato emra, mirëpo sa është e mundur të ndryshohen, ne e shoshim se kjo politika jonë e përditshme është shumë e dobët në aspektin e ndryshimeve”, thotë një banor.

Advertisement

“Kjo është një punë shumë madje tepër e vonuar. Kjo duhej të bëhet që në vitet e 90-ta, madje që kur iu ndërrua emri shkollës Marrshali Tito dhe iu vendos Goce Dellçev. Dhe që atëherë ne duhej të bëjnë një revolucion për t’i ndërruar emrat e shkollave rrugë shesheve të ndryshme”, shprehet një banor tjetër.

“Ka njerëz të ndryshëm dikush do të ndryshojë dikush jo, por të jemi realist, komunizmi iku më ka ikur nga gjithkund. Meqë luftojmë për sistem demokratik për Evropë, duhet të ndërrohen”, theksoi një banor.

Ashtu sikurse shumë nisma të mëparshme, edhe sot, nga ana e Shoqatës akademike të Tetovës dhe komunës, u iniciua një nismë e këtillë për hapjen e një debati publik, por sa do jep fryte, nuk dihet. As historianët e as komuna, nuk sqarojnë nëse në fillim kanë arritur pajtueshmëri me partitë maqedonase për nisjen e kësaj procedure, gjë kjo e nevojshme për shumicën në këshillin komunal.

“Ne sot ndërmorëm edhe hapin e parë në drejtim të hapjes së debatit publik sa i përket kësaj nisme kaq të rëndësishme për komunën,. Do jenë të përfshirë të gjitha kategoritë e qytetarëve që janë të interesuar dhe që i tangon emërtimi i rrugëve dhe institucioneve të tjera në nivel lokal”, thotë Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Në debat në të ardhmen pritet të përfshihen edhe qytetarët./ Alsat.mk Gazetar: Bashkim Sulejmani

Advertisement
Exit mobile version