Tanimë gjithçka është e qartë, lajmet se në Tetovë do të prodhohen veturat e reja elektrike rezulton të jetë i sakt dhe të shtunën do të hudhet gurëthemeli i kompanisë në zonën e lirë ekonomike në Tetovë. Familja e filantropit të madh, LAzim Destani do e vë Tetovën në listën e qyteteve që prodhojnë makineri të rëndë, krahas qyteteve më të zhvilluara gjermane, franceze e spanjolle.
Zona e Lirë Ekonomike e Tetovës të shtunën do të presë investimin më të madh ndonjëherë. Për herë të parë në Ballkan, një kompani e madhe makinash do ta shndërrojë këtë zonë në lider prodhimi. Bëhet fjalë për një investim të kompanisë gjermane për prodhimin e makinave elektrike “e.Go”, në pronësi të familjes Destani.
Investimi gjigand nënkupton edhe qindra të punësuar për prodhimin e makinës tashmë të dëshmuar suksesshëm në Gjermani.
Prototipi i parë i kësaj makine që nuk emeton karbon, por funksionon vetëm me energji elektrike, u prezantua në vitin 2017. Vetëm një vit më vonë, në 2018, u porositën mijëra të tilla. “e.Go” ka rrëzuar edhe mitin se makinat elektrike janë makina të shtrenjta.
Krahasuar me makinat e tjera elektrike, “e.Go” ka çmim prej 17 mijë eurosh, çka e shndërron në një nga makinat elektrike më të lira në botë dhe të ofrueshme për masën.
Kapaciteti i kësaj makine është katër ulëse dhe është e projektuar për manovrim të lehtë nëpër qytet. Sipas studimeve që ka bërë kompania, udhëtarët ngasin mesatarisht 30 deri në 40 kilometra në ditë, andaj kanë ardhur në përfundim se nuk nevojitet një kapacitet baterie prej 300 ose 400 kilometrash, çka do ta rriste çmimin jashtëzakonisht shumë.