Site icon Tetova Expres

SPB Tetovë arrestoi tre shtetas të Shqipërisë dhe ndaloi punimet në një rrugë të Tetovës se nuk kanë pëlqim, Komuna demantoi (Dokument)

Ndërprerjen e punimeve në rrugën “TC Merxhan” nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë që sipas tyre po realizohen pa pëlqim, Komuna e Tetovës e vlerëson si politikë ditore dhe se të gjitha dokumentacionet janë të kompletuara, shkruan Portalb.mk.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë nga SPB-Tetovë, ku është konstatuar se nuk ka sinjalistikë të rregullt për punë në rrugë, kontraktorët nuk kanë pasur dokumentacion apo pëlqim për kryerjen e punëve, dhe tre nga personat e angazhuar për punë kanë treguar të dhëna false, gjegjësishtë informacion nga shtetasit tanë edhe pse ishin shtetas të R. Shqipërisë”, njoftoi SPB Tetovë.

Për këtë, Policia ka kërkuar nga kompania të ndërpresë punimet, të kthejë gjendjen fillestare në rrugë, ndërkohë të rregullojë dokumentet dhe pëlqimin.

Komuna e Tetovës demantoi.

“I gjithë dokumentacioni nga ana e Komunës së Tetovës ka qenë në rregull. Ne si Komunë po jua dëshmojmë me fakte se dokumentacioni nga të dyja palët është i kompletuar, gjegjësisht edhe me pëlqim nga SPB Tetovë”, deklarojnë nga Komuna e Tetovës.

Advertisement

Komuna sqaroi që kontrata është nënshkruar më 10 qershor me kompaninë, ndërsa Policia në Tetovë ka dhënë pëlqimin me 29 qershor.

“Policia thjesht tenton të pengojë në vazhdimësi punën e Komunës së Tetovës duke qenë në shërbim të politikës ditore. Ky akt i shëmtuar i policisë nuk është i pari, i njëjti avaz ka vazhduar që me marrjen e udhëheqësisë së Komunës nga ana e kryetarit, Bilall Kasami.”, deklarojnë nga Komuna, duke vlerësuar që policia ka shkelur të gjitha procedurat me ndërprerjen e punimeve.

Komuna publikoi edhe kontratën me kompaninë e cila realizon punimet.

Kontrata mes Komunës së Tetovës dhe kompanisë për sanimin e rrugëve from Portalb.mk

Gjatë këtij aksioni, policia arrestoi tre shtetas të Shqipërisë, 38 vjeçarin T.G., 40 vjeçarin M.M. dhe 30 vjeçarin G.A të cilët kanë qenë të angazhuar për punë dhe kanë treguar të dhëna false, gjegjësishtë informacion nga shtetasit e vendit edhe pse ishin shtetas të Shqipërisë që nuk kanë vendbanim të rregulluar në vend.

Advertisement

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që SPB Tetovë dhe Komuna e Tetovës nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. Përplasje kishte edhe për krijimin e shëtitores për mërgimtarët.

Exit mobile version