Site icon Tetova Expres

RMV, shahu do të bëhet lëndë zgjedhore për fëmijët e klasës së parë dhe të dytë

Nga viti i ri shkollor, shahu do të jetë lëndë zgjedhore për fëmijët e klasës së parë dhe të dytë, konfirmuan nga Federata e shahut të Maqedonisë (FShM), pasi programi i tij u pranua nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Fillimisht, do të përfshihen vetëm këto mosha, pasi kjo lejohet nga kurrikula dhe programi, transmeton Portalb.mk.

“Prej disa vitesh jemi përpjekur ta fusim shahun si lëndë zgjedhore, duke ndjekur shembullin e disa vendeve të tjera si Polonia dhe Anglia. Këtë vit kemi hasur në një qasje pozitive nga Ministria e Arsimit dhe ministri Jeton Shaqiri, kështu që nisi e gjithë iniciativa. Shahu ka shumë përfitime. Fëmijët që mësojnë shah që në moshë të vogël kanë përqendrim të shtuar, të menduarit logjik më të mirë, janë më të mirë në zgjidhjen e problemeve, analizën etj., thonë nga Federata e Shahut.

Programi i shahut në shkolla është zhvilluar në bashkëpunim me mjeshtrin ndërkombëtar Orce Dançevski, i cili mban orë shahu në shkollën fillore “Yahja Kemal”, ku shahu për dhjetë vjet është lëndë e detyrueshme për nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta.

“Mësimdhënia do të zhvillohet nga mësues të cilët tashmë janë të punësuar në shkolla dhe do të trajnohen nga trajnerë shahu. Në Maqedoni janë rreth 22 persona që kanë licencë trajneri nga Federata ndërkombëtare e Shahut (FIDE). Sshembull i ngjashëm i futjes së shahut në shkolla ekziston ​​në Poloni, dhe ne i morëm përvojat tona prej andej. Edhe aty janë trajnuar mësuesit e klasës për mësimin e orës së shahut dhe projekti ka rezultuar me sukses të madh”, shtojnë nga FShM.

Exit mobile version