Përmes këtyre risive, nxënësit e ardhshëm nga klasa e dytë do të duhet të mësojnë se si të merren dhe si të njohin emocionet, ndërsa për lëndën Shoqëria do të duhet të identifikojnë identitetet, sipas konceptit të ri për arsimin fillor
Zenel MIFTARI
Nga ky vit shkollor do të kemi metodologji të re të vlerësimit të nxënëseve dhe risia tjetër do të jetë bashkimi i lëndëve të Historisë dhe Shoqërisë në një lëndë ku do të kombinohen, ndërsa nxënësit e klasës së dytë do të mësojnë edhe për identitetin gjinor, etnik dhe kombëtar. Sipas metodës së re mësuesi do të monitoroj dhe vlerësoj aktivitetin e nxënëseve përbrenda të gjithë vitit shkollor. Në vlerësimin dhe vendosjen e notës përfundimtare nga mësuesi te nxënësit do të vlerësohen përgjigjet me gojë të pyetjeve, kontributi në aktivitetet në grup, pjesëmarrjen në hulumtime, krijimin e projekteve, përgjigjet gjatë kuzeve, kontributi në nxjerrjen e konkluzioneve, punimet në fletoren e punës dhe detyrat e shtëpisë. Pra sipas planprogramit, të gjithë vlerësimet të mbledhura nga këto aktivitete do të nxirret një notë të cilën do ta merr nxënësi.
Përmes këtyre risive, nxënësit e ardhshëm nga klasa e dytë do të duhet të mësojnë se si të merren dhe si të njohin emocionet, ndërsa për lëndën Shoqëria do të duhet të identifikojnë identitetet, sipas konceptit të ri për arsimin fillor. “Nxënësi duhet të identifikojë komponentët e ndryshëm të identitetit të tij, i cili ndërtohet mbi bazën e përkatësisë në grupe të ndryshme shoqërore, si gjinia, identiteti etnik dhe kombëtar dhe rolet e ndryshme që ka në jetë”, thuhet në planprogramin për klasën e dytë.
Për lëndën Shoqëria për klasën e dytë, në rubrikën e shkrim-leximit dixhital, zhvillim personal dhe social dhe teknikë dhe teknologji, thuhet se nxënësi do të duhet të jetë i aftë të vlerësojë se kur dhe në çfarë mënyre përdoret teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe është e nevojshme për të zgjidhur një detyrë të caktuar.
Në mënyrë që edukatorët të zbatojnë digjitalizimin, kurrikula parashikon përdorimin e kompjuterëve, projektorëve dhe pajisjeve të tjera digjitale, si dhe enigmave dhe lojërave tjera logjike. Një risi për nxënësit e klasave të pesta do të jetë shkrirja e lëndëve Histori dhe Shoqëri, të cilat në vend që të jenë të ndara si më parë, do të mësohen në një lëndë shkollore. Kurrikula thotë se deri në fund të vitit nxënësit duhet të kenë ndjenjën e përkatësisë ndaj vendit. “Nxënësit duhet të dijë të identifikojë dhe respektojë të gjitha simbolet kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të shfaqë ndjenjën e përkatësisë ndaj vendit. Nxënësi duhet të identifikojë veçoritë gjeografike të kontinenteve, rajoneve dhe vendeve të botës dhe t’i lidhë ato me zhvillimin e tyre shoqëror”, thuhet në plan programin e ri .
Mësimdhënësit, sipas planprogramit, do të duhet të sigurojnë përfshirjen e të gjithë nxënësve. Sipas informacioneve të siguruara, tekstet shkollore ende nuk janë shtypur, ndërsa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka informacion nëse të gjitha shkollat janë të pajisura me mjete ndihmëse tekniko-teknologjike. Për t’i mundësuar nxënësve arritjen e standardeve të pritura të vlerësimit, mësuesi monitoron vazhdimisht aktivitetet dhe pjesëmarrjen e nxënësve gjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe mbledh informacion për përparimin dhe arritjet e nxënësve. Sipas MASH-it, përmes këtyre risive tentohet të rritet cilësia në arsimin e vendit tonë dhe të jenë në hap me ndryshimet shoqërore që po ndodhin. Gjithashtu këto risi janë komentuar si pozitive nga njohësit e fushës së arsimit. (koha.mk)