Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, konsideron se akuzat ndërmjet kryetares së Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, kanë efekt të dëmshëm në besimin qytetar tek institucionet.
“Kjo i shkakton dëm qytetarëve sepse humbet besimi në institucione dhe kushdo që mban ndonjë post duhet të mbajë përgjegjësi etike, morale… Institucionet nuk mund të lejohen të shpërbëhen nga askush dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të vendosur për këtë, sepse nëse humbet besimi në institucione, atëherë është problemi më i madh. Pra, duhet të mendojmë pse institucionet, prokuroria, gjyqësori kanë besim tetë për qind? Nuk besoj se kjo është mënyra për të rritur besimin”, tha Spasovski në një emision televiziv.
Akuzat mes Ruskoskës dhe Muaremit kanë kohë që vazhdojnë dhe Ruskoska u ka bërë thirrje institucioneve kompetente në vend dhe institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare që “të kontrollojnë të gjitha faktet dhe të sqarojnë se kush në këtë vend lufton kundër krimit dhe kush e kryen krimin”.
Reagimi i saj pasoi pasi drejtori i Policisë Financiare njoftoi se do të bëjë kallëzim penal kundër saj dhe prokurorëve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska.
Komisioni Evropian në një deklaratë për mediat tha se po i përcjell me kujdes të gjitha zhvillimet me akuza të ndërsjella publike mes Ruskoskës dhe Muaremit dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet nga institucionet kompetente.