Shumë institucione në kuadër të pushtetit lokal dhe njësi rajonale të institucioneve qendrore janë diskriminuese për një kategori të qytetarëve të Tetovës edhe pse të njëjtit janë taksapagues të rregullt si të gjithë të tjerët. Personat me aftësi të veçanta mund të hyjnë vetëm në katin përdhesë të Komunës, por jo edhe në katin ku ndodhen zyrat kryesore të këtij institucioni. Pengesa për këtë kategori të qytetarëve ka edhe në Kadastër, Fondin për sigurim shëndetësor, Fondin pensional invalidor, që tangon drejtëpërdrejt këta bashkëqytetarë, si dhe shumë institucione të tjera.
Nëse disa qytetarë për shkaqe shëndetësore nuk mund të kalojnë shkallët 50 centimetra, ne sfiduam të tjerët me shkallë e pengesa një metër e gjysëm, që të paktën disa minuta të përjetojnë atë që disa qytetarë përjetojnë gjatë gjithë jetës.
Me këtë aksion duam të dëshmojmë se askush nuk ka super fuqi dhe nuk mund të jetë mbi të tjerët edhe pse për tre dekada politika ka pasur qasje egoiste dhe nuk ka krijuar kushte të barabarta për të gjithë qytetarët.
Pengesat fizike e shëndetësore me të cilat përballen shumë bashkëqytetarë nuk guxojmë t’i rëndojmë me pengesa të tjera që i krijojmë gjatë ndërtimit të objekteve vetëm sipas egos tonë dhe duke mos menduar për nevojat e të gjithë qytetarëve në mënyrë të drejtë. Përveç institucioneve qëndrore e lokale, komuna duhet në të ardhmen të merr parasysh që këto pengesa t’i eliminojë edhe gjatë dhënies së lejeve për banesa kolektive dhe objekte të tjera me karakter publik.
Aleanca për Shqiptarët ashtu si në shumë sfera e raste të tjera edhe në këtë rast mbetet e përkushtuar për të krijuar një komunë për të gjithë e që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Ne si të rinj dhe si këshilltarë komunal nesër, do të jemi zëri i bashkëqytetarëve tanë që deri sot janë harruar dhe diskriminuar nga të tjerët.