Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi sot ka inspektuar lokalet e klubit bullgar “Vanço Mihajllov” në Manastir. Vesna Bendevska – anëtare e Komisionit që kreu inspektimin, në një deklaratë për media tha se po veprojnë pas ankesës për diskriminim, të cilën e ka parashtruar një shoqatë civile me interes të arsyetuar, transmeton Portalb.mk.
“Sipas pretendimeve në ankesë, ne jemi të detyruar të dëgjojmë palën tjetër ndaj së cilës është bërë ankesa, për të marrë dokumentet. Erdhëm për këqyrje, e cila është paralajmëruar një javë më parë dhe kemi inspektuar hapësirat e diskriminuesit potencial, siç thotë parashtruesi në ankesë”, tha Bendevska dhe theksoi se Komisioni nuk do të paragjykojë pretendimet, por do ta publikojë mendimin pasi të përfundojë procedura.
Ajo theksoi se kanë bazë ligjore për inspektime të paparalajmëruara dhe të paralajmëruara, ndërsa për këtë ankesë do të marrin dokumentacion edhe nga institucionet tjera.
Klubi bullgar “Vanço Mihajllov” u hap zyrtarisht më 16 prill të këtij viti, në prani të një delegacioni të lartë nga Bullgaria, kryesuar nga kryeministri i atëhershëm Kiril Petkov. Akti shkaktoi reagime të ashpra në opinion dhe hapja u pasua me protesta në Manastir. Dy muaj më vonë, derën hyrëse të Klubit e dogji këngëtari Lambe Alabakoski, i cili dyshohet për veprën penale – shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.